Elseid Hysaj nuk mundi ta shijonte siç dëshironte mbrëmjen e tij të veçantë me fanellën kuqezi.
Mbrojtësi i Kombëtares regjistroi ndeshjen e 100-të me Shqipërinë, por festa u prish nga humbja 1-0 ndaj Luksemburgut në “Air Albania”.
Pas sfidës, kapiteni kuqezi u shfaq i sinqertë në analizën e tij, duke pranuar se skuadra po kalon një moment të vështirë dhe se jo të gjithë lojtarët janë plotësisht të fokusuar.
“Do doja ta festoja ndryshe. Jam pak i lumtur dhe pak i trishtuar, sepse duhej të fitonim. Më vjen keq edhe që stadiumi ishte si bosh, por duhet të shohim përpara dhe të korrigjojmë gabimet”, deklaroi Hysaj.
Mbrojtësi i Lazios pranoi se fundi i sezonit mund të ketë ndikuar te disa futbollistë, duke lëshuar një mesazh të qartë për grupin.
“Disa lojtarë vijnë nga një sezon i gjatë, disa e kanë mendjen te pushimet. Por ne duhet të jemi profesionistë. Luajmë për kombin dhe kur vijmë këtu duhet të japim 100 për qind”, u shpreh ai.
Hysaj foli edhe për periudhën e tranzicionit pas largimit të trajnerit të mëparshëm dhe ardhjes së Rolando Maran, duke pranuar se skuadra ka kaluar momente konfuzioni.
“Nuk e dinim se çfarë do të ndodhte me trajnerin dhe ishte një situatë e paqartë. E kemi parë që ka gjëra që nuk funksionojnë, por duhet të kuptojmë sa më shpejt idetë e trajnerit të ri. Kishim shumë pak kohë për të punuar”, tha mbrojtësi.
Në fund, Hysaj ndaloi edhe te problemi më i madh i momentit, mungesa e golit.
Shqipëria e mbylli grumbullimin e qershorit pa shënuar asnjë gol në dy ndeshje.
“Ne krijuam raste si ndaj Izraelit, por nuk po arrijmë të shënojmë. Shpresoj që sulmuesit të zhbllokohen sa më shpejt. Futbolli është i vështirë dhe nëse nuk japim 110 për qind, çdo kundërshtar mund të na ndëshkojë”, përfundoi Hysaj.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: