Napoli është rikthyer në qendër të vëmendjes pas deklaratave të forta të Kevin De Bruyne, i cili ka kritikuar hapur mënyrën e lojës së ekipit nën drejtimin e ish-trajnerit Antonio Conte.
Në një intervistë për “Het Nieuwsblad”, mesfushori belg ka folur pa dorashka për sezonin e fundit, duke theksuar se nuk është ndier kurrë rehat në sistemin taktik të përdorur nga Conte.
“Për mua ka qenë e vështirë, sepse Conte ka një vizion të futbollit shumë ndryshe nga imi. Nuk kam pasur pothuajse asnjëherë mundësi të luaj në rolin tim të preferuar. Megjithatë, gjithmonë kam dhënë gjithçka për ekipin”, ka deklaruar De Bruyne.
Ai ka kritikuar edhe stilin e lojës së Napolit, duke e cilësuar tepër mbrojtës:
“Luanim në mënyrë shumë mbrojtëse. Kur provon të fitosh çdo ndeshje 1-0 me skemën 5-4-1, ky është një lloj futbolli. Edhe statistikat sulmuese e vuajnë këtë. A jam i lumtur që ai është larguar? Po, për mua po. Nuk ishte i detyruar të qëndronte”, u shpreh ai.
Mesfushori belg shtoi gjithashtu se gjatë sezonit i ishin premtuar ndryshime në mënyrën e lojës, të cilat nuk u realizuan.
“Na ishin premtuar gjëra të caktuara për stilin e lojës, por ato nuk u bënë realitet. Është për të ardhur keq, sepse futbolli duhet të mbetet argëtues”, theksoi ai.
Pavarësisht kontratës së tij aktuale me klubin italian, De Bruyne nuk e ka garantuar qëndrimin në Napoli për sezonin e ardhshëm, duke lënë të hapur mundësinë e një largimi.
“Kam edhe një vit kontratë, por dua të flas për të ardhmen. Edhe më parë janë bërë premtime që nuk janë mbajtur”, përfundoi mesfushori belg.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: