Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Neymar do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës për Botërorit 2026, pavarësisht problemeve fizike që po e pengojnë të stërvitet me grupin.
Në konferencën për shtyp të zhvilluar në Granja Comary, Ancelotti u tregua i prerë kur u pyet për mundësinë e zëvendësimit të ‘yllit’ brazilian në listën e 26 lojtarëve.
“Për ta bërë të qartë: ai do të jetë me ne deri në momentin që do të rikuperohet dhe të jetë i gatshëm. Mendojmë se mund të rikthehet për ndeshjen e parë. Nëse jo, atëherë për të dytën. Nuk kemi asnjë dyshim se nuk do të zëvendësojmë askënd”, deklaroi tekniku italian.
Ancelotti pranoi se Neymar nuk mund të stërvitet ende me pjesën tjetër të ekipit, por theksoi se gjendja e tij individuale është pozitive. I pyetur nëse do ta kishte grumbulluar sulmuesin edhe po të dinte më herët shkallën e dëmtimit, trajneri italian iu përgjigj me humor duke përdorur një shprehje italiane.
“Në Itali themi: ‘Po të kishte gjyshja ime rrota, do të ishte makinë’”, tha Ancelotti mes të qeshurave të gazetarëve, përpara se të shtonte: “Ai ishte në listën e 26 lojtarëve”.
Trajneri i Brazilit nënvizoi edhe rëndësinë e Neymarit brenda grupit.
“Neymar është shumë i dashur. Ai respektohet nga federata, nga lojtarët dhe nga të gjithë. Po punon shumë për t’u rikthyer sa më shpejt. Kemi biseduar për gjithçka, për rikuperimin dhe për rolin e tij në skuadër. Mendoj se e ka kuptuar shumë mirë”, u shpreh Ancelotti.
Ndërkohë, Brazili po përgatitet për ndeshjen miqësore ndaj Panamasë, që do të luhet në stadiumin ‘Maracanã’. Për këtë sfidë, Ancelotti nuk do të ketë në dispozicion Marquinhos, Gabriel Magalhães dhe Gabriel Martinellin, të cilët do të përballen në finalen e UEFA Champions League Final.
“Është e vështirë të flasësh me ta para finales. Nuk dimë kujt t’i urojmë fat, Marquinhosit apo dy Gabrielëve. Gjëja më e rëndësishme është që ta mbyllin ndeshjen mirë. Do të jetë një finale mes dy skuadrave që e meritojnë”, përfundoi Ancelotti.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: