Pa vdekjen me sy, kush është Glasner, trajneri që tani mund të drejtojë Milanin

Pa vdekjen me sy, kush është Glasner, trajneri që tani mund të drejtojë Milanin

16:24, 30/05/2026

Tre trofe në një vit me Crystal Palace, një identitet i qartë futbolli dhe një histori personale që prek kufijtë e dramatikes. Oliver Glasner është një nga emrat më të përfolur për stolin e Milanit, sidomos nëse projekti i ri teknik i kuqezinjve do të lidhet me Ralf Rangnick. Austriaku sapo mbylli aventurën e tij në Londër duke ngritur lart trofeun e Conference League, sukses që iu shtua FA Cup-it dhe Charity Shield-it të fituara më herët.

Largimi i tij nga Crystal Palace ishte vendosur prej kohësh. Glasner nuk ishte i kënaqur me mënyrën se si klubi shiste lojtarë të rëndësishëm gjatë sezonit dhe kishte vendosur të mos vazhdonte më. Megjithatë, tifozët e Palace nuk e fajësuan kurrë trajnerin që e quanin me përzemërsi “Oli”. Përkundrazi, ata kritikuan drejtuesit që lejuan largimin e një figure kaq karizmatike.

Por kush është në të vërtetë Oliver Glasner? Sipas gazetarëve anglezë që e kanë ndjekur nga afër, ai është një trajner që punon shumë me aspektin psikologjik të futbollistëve. Ka aftësinë t’u rikthejë besimin lojtarëve dhe të ndërtojë skuadra kompakte. Në fushë nuk heq dorë lehtë nga tredhëmbëshi ofensiv dhe preferon një skuadër që mbrohet ulët, duke goditur kundërshtarin me kundërsulme të shpejta e vdekjeprurëse. Pikërisht ky stil i solli sukses Crystal Palace-it.

Megjithatë, rruga e tij drejt elitës nuk ka qenë aspak e zakonshme. Glasner lindi në Scharding të Austrisë dhe pothuajse gjithë karrierën si lojtar e kaloi te Riedi. Në vitin 2011, një përplasje në stërvitje ndryshoi gjithçka. Fillimisht u duk si një dëmtim i lehtë, por disa ditë më vonë ai u dërgua me urgjencë në spital. Diagnoza ishte tronditëse: hematomë në tru. Mjekët i dhanë vetëm 50 për qind shanse për të mbijetuar. Operacioni rezultoi i suksesshëm dhe Glasner shpëtoi, por u detyrua të linte futbollin e luajtur.

Pas kësaj, ai u diplomua për Administrim Biznesi dhe hyri në strukturat e Red Bull Salzburg-ut, ku ndërtoi raportin e fortë me Ralf Rangnick-un. Më pas nisi ngjitja e tij si trajner: Ried, Lask Linz, Wolfsburgu, Eintrachti i Frankfurtit dhe më pas Crystal Palace.

Glasner njihet si një njeri i qetë, i rezervuar dhe autentik. “Gjithmonë përpiqem të jem vetvetja, sepse lojtarët e kuptojnë menjëherë kur dikush shtiret”, ka deklaruar ai. Nëse e ardhmja e tij do të jetë vërtet Milani, atëherë kuqezinjtë mund të besojnë se po afrojnë jo vetëm një trajner fitues, por edhe një njeri që ka mposhtur sfidat më të vështira të jetës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco