Pep Guardiola i ka dhënë fund aventurës së tij 10-vjeçare te Manchester City, duke mbyllur një epokë historike në futbollin anglez.
Trajneri spanjoll largohet si një nga teknikët më të suksesshëm që ka drejtuar ndonjëherë Premier League, por mes gjithë triumfeve ka edhe një vendim për të cilin vazhdon të ndjejë keqardhje.
Në një rrëfim emocional, Guardiola pranoi se një nga pendesat më të mëdha të karrierës së tij te City lidhet me mënyrën se si trajtoi ish-portierin Joe Hart në fillim të aventurës së tij në Angli.
“Kam një keqardhje që e mbaj thellë brenda vetes prej shumë vitesh. Nuk i dhashë Joe Hartit një shans për të provuar sa portier i mirë ishte”, deklaroi Guardiola.
Tekniku spanjoll pranoi se mund të kishte vepruar ndryshe në atë periudhë dhe të kishte tentuar të ndërtonte një bashkëpunim me gardianin anglez, i cili në atë kohë konsiderohej një nga liderët e skuadrës.
“Mund të kisha thënë: ‘Në rregull Joe, le ta provojmë së bashku. Nëse nuk funksionon, atëherë do ta ndryshojmë’. Por ndodhi ndryshe. Duhet të marr vendime dhe ndonjëherë nuk jam mjaftueshëm i drejtë”, shtoi ai.
Joe Hart u largua nga Manchester City në vitin 2016, vetëm pak muaj pasi Guardiola mori drejtimin e skuadrës.
Vendimi i spanjollit për ta zëvendësuar atë me Claudio Bravo shkaktoi shumë debat në atë kohë, pasi Hart ishte një simbol i klubit dhe kishte fituar disa trofe me “Qytetarët”.
Pavarësisht këtij pengu, epoka e Guardiolës te Manchester City mbetet një nga më dominueset në historinë e futbollit anglez.
Gjatë 10 viteve në “Etihad”, ai fitoi 20 trofe, mes tyre edhe tripletën historike në vitin 2023, duke transformuar Cityn në një superfuqi europiane.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: