Ralf Rangnick nuk do të jetë pjesë e projektit të Milanit. Pas javësh të tëra negociatash dhe pasigurie, tekniku gjerman ka vendosur të refuzojë ofertën e klubit kuqezi dhe të vazhdojë punën si trajner i kombëtares së Austrisë.
Sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, Rangnick ka zgjedhur të qëndrojë në krye të Austrisë, duke u dhënë fund spekulimeve që e lidhnin me një rikthim në futbollin e klubeve. Vendimi ka ardhur pasi Federata Austriake e Futbollit i kërkoi trajnerit të qartësonte të ardhmen e tij përpara nisjes së aventurës në Botërorin 2026.
Federata kishte kohë që i kishte ofruar një rinovim kontrate me kushte ekonomike shumë më të favorshme, duke i rritur ndjeshëm pagën aktuale. Përballë këtij presioni dhe pas pritjes së gjatë nga ana e Milanit, Rangnick vendosi të thoshte “jo” përfundimisht.
Gjermani konsiderohej si figura ideale për të marrë kontrollin e plotë të sektorit sportiv te Milani. Ai kishte vendosur disa kushte të rëndësishme për të pranuar projektin e paraqitur nga drejtuesit kuqezi, përfshirë autonomi të plotë në vendimmarrje.
Megjithatë, këto kërkesa duket se kanë shkaktuar hezitime te pronari Gerry Cardinale, drejtori Giorgio Furlani, administratori Giorgio Calvelli dhe Zlatan Ibrahimovic, duke bërë që negociatat të zvarriteshin për një kohë të gjatë.
Me kalimin e javëve, pista që çonte te Rangnick mbeti në pritje dhe mungesa e një vendimi të shpejtë nga Milani bëri që trajneri gjerman të humbte durimin. Në fund, ai vendosi të vazhdonte projektin e nisur me Austrinë, duke mbyllur përfundimisht derën për një kalim në Milano.
Ky zhvillim përfaqëson një goditje për drejtuesit e Milanit, të cilët e shihnin Rangnick-un si një nga figurat kyçe për të ndërtuar strategjinë sportive të klubit në vitet e ardhshme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: