Tyson Fury mund të jetë duke përgatitur surprizën më të madhe jashtë ringut. Boksieri britanik raportohet se është pranë hyrjes në botën e futbollit, teksa po planifikon së bashku me Zlatan Ibrahimovic blerjen e klubit anglez Morecambe.
Pas rikthimit të tij në ring më 11 prill, ku mposhti Arslanbek Makhmudov me vendim unanim, “Gypsy King” ka qenë në qendër të vëmendjes për duelin e mundshëm ndaj Anthony Joshua. Megjithatë, ditët e fundit ai ka ngritur dyshime për një projekt krejtësisht tjetër.
Fury publikoi një foto “ballë për ballë” me Zlatan Ibrahimovic, duke paralajmëruar një takim më 1 gusht në Dublin. Edhe pse shumëkush mendoi për një spektakël boksi, mediat britanike raportojnë se bëhet fjalë për një bashkëpunim biznesi.
Sipas “The Sun”, Fury dhe Ibrahimovic synojnë të blejnë klubin Morecambe dhe të realizojnë një dokumentar në Netflix me titullin “Rise of Morecambe”, i frymëzuar nga suksesi i projektit të Ryan Reynolds me Wrexham.
Klubi anglez ka kaluar momente të vështira financiare dhe sezonin e fundit ra nga National League, çka ka shtuar pasigurinë për të ardhmen. Pikërisht këtë situatë dyshja e sheh si një mundësi ideale për të ndërtuar një histori ringritjeje.
Fury ka lidhje të forta me Morecambe, pasi palestra e tij kryesore ndodhet brenda stadiumit të klubit. Në vitin 2020 ai investoi në ambientet e “Mazuma Stadium”, ku funksionon edhe fondacioni i tij bamirës.
Ndërkohë, Zlatan Ibrahimovic mbetet një nga figurat më karizmatike të futbollit europian dhe miqësia mes tij dhe Fury daton prej vitesh. Nëse marrëveshja realizohet, Morecambe mund të shndërrohet në një nga projektet më të bujshme sportive dhe mediatike në Angli.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: