Federata spanjolle ka publikuar listën përfundimtare me 26 futbollistët e grumbulluar për Botërorin 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, ndërsa vëmendjen më të madhe e ka marrë mungesa totale e lojtarëve të Real Madridit.
Për herë të parë në historinë e pjesëmarrjeve të Spanjës në Kupën e Botës, “La Roja” nuk do të ketë asnjë futbollist nga klubi madrilen. Një statistikë surprizuese, duke qenë se në 16 edicionet e mëparshme Spanja kishte gjithmonë të paktën një përfaqësues të Realit në turneun më të madh të futbollit.
Megjithëse Dani Carvajal ishte lënë jashtë që në paralistën paraprake, shumëkush priste që Dean Huijsen të siguronte një vend në listën finale, por trajneri Luis de la Fuente vendosi ndryshe. Në repartin mbrojtës ai preferoi emra si Pau Cubarsí, Aymeric Laporte, Marc Pubill dhe Eric Garcia, ndërsa jashtë mbeti edhe Robin Le Normand.
Po ashtu, Fran Garcia dhe Gonzalo Garcia ishin pjesë e listës paraprake, por nuk arritën të futeshin në grupin final. Gonzalo Garcia do të qëndrojë vetëm si pjesë e skuadrës stërvitore dhe do të marrë pjesë në miqësoren ndaj Irakut më 4 qershor.
Ndërkohë, Barcelona është klubi më i përfaqësuar në kombëtaren spanjolle me plot tetë lojtarë të grumbulluar. Në listë janë Joan Garcia, Pau Cubarsí, Eric Garcia, Pedri, Gavi, Dani Olmo, Ferran Torres dhe Lamine Yamal.
Dominimi i futbollistëve të Barcelonës në përfaqësuese shihet si një tjetër sinjal i ndryshimit të balancave në futbollin spanjoll, të paktën për momentin, me Real Madridin që mbetet jashtë një rekordi historikisht të rëndësishëm për “La Roja”.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: