Pas dështimit për t’u kualifikuar në Champions League, te Milani kanë nisur lëvizjet e mëdha për një revolucion të plotë në klub. Pronari Gerry Cardinale është i vendosur të nisë një cikël të ri, ndërsa orët e fundit konsiderohen vendimtare për të ardhmen e drejtuesve dhe stafit teknik kuqezi.
Sipas raportimeve nga Italia, administratori delegat Giorgio Furlani, shefi i skautizmit, Geoffrey Moncada, drejtori sportiv Igli Tare, dhe trajneri Massimiliano Allegri janë praktikisht të larguar. Ky i fundit nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, por klubi po vlerëson mundësinë e shkarkimit pas sezonit zhgënjyes.
Ndërkohë, Geoffrey Moncada ka mbërritur në “Casa Milan” së bashku me Furlanin për takime të rëndësishme me drejtuesit e klubit. Në të njëjtën kohë, Zlatan Ibrahimovic është takuar me Cardinalen në një hotel në qendër të Milanos, në një ditë tepër të tensionuar për ambientin kuqezi.
Situata është përkeqësuar edhe nga protesta e tifozëve. “Curva Sud” ka vazhduar kritikat e forta ndaj pronarit amerikan dhe drejtuesve të klubit. Jashtë hotelit ku qëndron Cardinale është shfaqur një banderolë me mesazhin: “Cardinale ik në shtëpi, turp!”. Më pas tifozët publikuan edhe një tjetër reagim në rrjetet sociale: “Të mbyllur si minj në hotele luksoze. Ikni, të padenjë!”.
Cardinale nuk ka planifikuar konferencë për shtyp, por vetëm një takim privat me disa gazetarë të përzgjedhur, ku pritet të shpjegojë vizionin dhe planet për të ardhmen e Milanit.
Klubi kuqezi pritet të hyjë kështu në një verë të nxehtë ndryshimesh, ku jo vetëm drejtuesit, por edhe projekti sportiv mund të transformohet rrënjësisht.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: