Final 4 ndez garën për titullin, Egnatia, Elbasani dhe Vllaznia luajnë gjithçka në 90 minutat e fundit

Final 4 ndez garën për titullin, Egnatia, Elbasani dhe Vllaznia luajnë gjithçka në 90 minutat e fundit

13:53, 25/05/2026

Të dielën, futbolli shqiptar do të përjetojë mbrëmjen më vendimtare të sezonit, me tri skuadra që vazhdojnë të ëndërrojnë titullin kampion të “Abissnet Superiore”. Egnatia, Elbasani dhe Vllaznia do të zbresin në fushë për sfidat e fundit të “Final 4”, aty ku do të vendoset edhe skuadra që do të ngrejë trofeun e kampionit.

Në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00, Vllaznia dhe Elbasani do të përballen në një duel direkt me peshë të jashtëzakonshme. Të dy ekipet hyjnë në këtë ndeshje me objektivin e vetëm: fitoren. Shkodranët synojnë të mbajnë gjallë shpresat për titullin, ndërsa elbasanasit kërkojnë të kurorëzojnë sezonin e tyre të shkëlqyer me triumfin më të madh në futbollin shqiptar.

Megjithatë, vëmendja e tyre nuk do të jetë vetëm në fushën e “Air Albania”, pasi gjithçka do të varet edhe nga rezultati i sfidës tjetër të javës finale.

Në “Elbasan Arena”, Egnatia do të përballet me Dinamo City-n, në një tjetër ndeshje që pritet me interes të madh. Rrogozhinasit kanë avantazhin psikologjik dhe matematikor, pasi në fazën “Final 4” kanë fituar të dyja përballjet ndaj Elbasanit dhe Vllaznisë. Tashmë skuadra e Egnatias mban fatin në duart e veta dhe synon të mbyllë sezonin me një tjetër sukses historik.

Dy stadiume, tri skuadra në garë dhe vetëm një trofe. Të dielën në mbrëmje pritet një finale e vërtetë për titullin kampion, me emocionet që premtojnë të zgjasin deri në sekondat e fundit të sezonit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco