Rikthimi i Romës në Champions League pas 7 vitesh mungesë ka sjellë jo vetëm entuziazëm sportiv, por edhe një përfitim të madh ekonomik për klubin kryeqytetas. Sipas përllogaritjeve të para, verdhekuqtë do të kenë rreth 60 milionë euro më shumë në buxhet, duke përfshirë bonusin e pjesëmarrjes, të ardhurat nga stadiumi dhe sponsorët.
Këto të ardhura i japin mundësi klubit të ndërtojë një skuadër më konkurruese për sezonin e ardhshëm, ku objektivi kryesor do të jetë konfirmimi në elitën e futbollit europian nën drejtimin e trajnerit Gian Piero Gasperini.
Sipas medieve italiane, tashmë kanë dalë edhe emrat e parë në listën e merkatos së Romës. Prioriteti i parë i Gasperinit është përforcimi i krahëve të sulmit, me dy lojtarë ofensivë dhe një mbrojtës krahu me profil të majtë. Në varësi të largimeve, mund të kërkohet edhe një mesfushor qendror, sidomos nëse largohet Manu Koné, i cili është në radarin e klubeve si Interi, PSG dhe Newcastle.
Një nga emrat më të ndjekur është ai i Antonio Nusa-s, talent norvegjez i Leipzig-ut. Verën e kaluar çmimi i tij arrinte deri në 60 milionë euro, por pas një sezoni me luhatje, vlera e tij mund të bjerë në 40-45 milionë.
Në listë gjenden edhe Crysencio Summerville, i cili vjen pas rënies nga kategoria me West Ham, si dhe Christos Tzolis i Club Brugge. Interes ka edhe për Victor Muñoz të Osasunës, megjithëse për të favorizohet Real Madrid.
Në horizont shfaqen gjithashtu profile të tjera si Mason Greenwood, aktualisht në largim nga Marseille, si dhe portugezi Pepe i Porto-s.
Roma synon të shfrytëzojë maksimalisht rikthimin në Champions për të ndërtuar një skuadër më të fortë dhe më konkurruese në Europë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: