Antonio Conte ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga Napoli në fund të sezonit, duke i dhënë fund aventurës së tij te skuadra napolitane. Trajneri italian e bëri publik vendimin pas fitores 1-0 ndaj Udineses në javën e fundit të Serie A.
Pas ndeshjes, Conte foli hapur për arsyet që e çuan drejt këtij vendimi, duke pranuar se nuk arriti të krijonte unitetin që dëshironte brenda ambientit të klubit.
“Rreth një muaj më parë telefonova presidentin pa kërkuar asgjë dhe ai gjithashtu nuk më tha asgjë. I shpjegova se ndieja që projekti ynë kishte arritur në fund dhe se nuk kishte ndryshim në planet e klubit”, deklaroi Conte.
Tekniku italian mori përgjegjësinë për situatën dhe pranoi se kishte dështuar në një aspekt shumë të rëndësishëm.
“Kam gabuar në një gjë te Napoli: nuk arrita të sillja kohezion në ambient dhe në këto kushte është e vështirë të garosh me të tjerët. Pashë shumë debate dhe tensione, por Napolit i duhen njerëz seriozë. Ata që dëmtojnë ambientin duhet të largohen”, u shpreh ai.
Conte shtoi se e kishte kuptuar se disa gjëra nuk mund të ndryshoheshin më dhe për këtë arsye vendosi të largohej.
“E mora përgjegjësinë time, por kuptova se disa situata nuk mund të ndryshohen. Për mua ishte një nder të drejtoja Napolin dhe falënderoj presidentin dhe tifozët që më kanë kuptuar”, tha trajneri italian.
Conte u pyet edhe për mundësinë e marrjes së drejtimit të kombëtares së Italisë, por shmangu një përgjigje konkrete. Ai foli edhe për diskutimet rreth emrave të mëdhenj që përmenden për stolin e Italisë.
“Kam qenë gjithmonë i qartë për kombëtaren. Nëse do të isha president i federatës, do të merrja në konsideratë kandidaturën e Contes. Është përmendur edhe Guardiola. Por a është federata italiane gati për një trajner të këtij niveli? Aktualisht nuk ka asgjë konkrete”, deklaroi ai.
Në fund, Conte la të kuptohet se mund të marrë një periudhë pushimi pas largimit nga Napoli.
“Ndoshta do të pushoj pak dhe do të shkoj të vizitoj Aurelio De Laurentiis-in në Los Anxhelos gjatë Kupës së Botës”, përfundoi trajneri italian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: