Serie A, rekord negativ: golashënuesi më i mirë italian vetëm me 10 gola

Serie A, rekord negativ: golashënuesi më i mirë italian vetëm me 10 gola

09:49, 25/05/2026

Momente tensioni dhe emocionesh të forta shoqëruan javën e 38-të të Serisë A. Episodet e dhunës në Torino, dështimi i Milanit dhe Juventusit për të siguruar Champions League, si dhe deklaratat surprizuese të Antonio Contes pas largimit nga Napoli, dominuan fundjavën e fundit të kampionatit italian. Mes shumë diskutimeve, një statistikë ka tërhequr veçanërisht vëmendjen dhe konsiderohet alarmante për futbollin italian.

Rekord negativ

Për herë të parë në historinë e Serisë A, golashënuesi më i mirë italian i kampionatit e mbyll sezonin me vetëm 10 gola. Riccardo Orsolini dhe Gianluca Scamacca ndajnë këtë rekord negativ, një shifër më e ulët se në çdo periudhë tjetër të kampionatit, madje edhe kur Serie A zhvillohej me 16 ose 18 skuadra.

Krahasimi me të kaluarën është i fortë. Në sezonin 2006-07, gjashtë vendet e para të renditjes së golashënuesve dominoheshin nga italianët. Francesco Totti fitoi “Këpucën e Artë” me 26 gola, i ndjekur nga Cristiano Lucarelli me 20, Riganò me 19, Rolando Bianchi me 18, ndërsa Spinesi dhe Amoruso realizuan nga 17 gola. I huaji i parë në listë ishte Adrian Mutu me 16 gola. Në atë kohë në Serie A luanin emra si Ibrahimoviç, Crespo, Kaká dhe Cruz.

Një tjetër detaj interesant ishte se pesë nga gjashtë golashënuesit italianë luanin për skuadra jo elitare si Livorno, Messina, Reggina dhe Catania.

Kërkohen dorëheqje

Artikulli ndalet edhe te situata e Milanit dhe Juventusit, duke theksuar se Massimiliano Allegri dhe Luciano Spalletti duhet të japin dorëheqjen pas dështimit për të siguruar një vend në Champions League. Kuqezinjtë dhe bardhezinjtë do ta ndjekin sezonin e ardhshëm kompeticionin më të rëndësishëm europian vetëm si spektatorë, ndërsa Como ka arritur një sukses historik me kualifikimin.

Sulmuesit zhgënjyes

Shumë kritika janë rezervuar edhe për Alvaro Morata-n dhe Santiago Gimenez-in. Dy sulmuesit e mbyllën sezonin pa asnjë gol, pavarësisht minutave të shumta në dispozicion. Morata luajti 924 minuta, ndërsa Gimenez 896 minuta, por asnjëri nuk arriti të realizonte qoftë një herë.

Interi dominon vitet 2020

Në fund, analiza ndalet edhe te dominimi i Interit në vitet e fundit. Zikaltrit kanë fituar tre tituj kampionë në këtë dekadë, kundrejt dy të Napolit dhe nga një të Juventusit e Milanit. Interi i këtij sezoni grumbulloi 87 pikë, më pak se skuadra e sezonit 2023-24 me 94 pikë dhe ajo e vitit 2020-21 me 91 pikë. Megjithatë, në të tri rastet skuadra realizoi nga 89 gola në kampionat.

Lautaro Martinez ishte sërish protagonist për Interin, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i skuadrës me 17 gola, ndërsa në sezonin 2020-21 Romelu Lukaku realizoi 24 gola, por nuk arriti të fitonte renditjen e golashënuesve, të dominuar atëherë nga Cristiano Ronaldo me 29 realizime.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco