Një episod i rëndë ka ndodhur para derbit mes Torinos dhe Juventusit, ku një tifoz bardhezi ka mbetur i plagosur rëndë gjatë përleshjeve mes tifozëve dhe forcave të rendit.
36-vjeçari Marco Leonardo Basoccu, ekonomist nga Milano dhe tifoz i Juventusit, ndodhet i shtruar në terapi intensive në spitalin “Molinette” të Torinos, pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente neurokirurgjikale për një traumë të rëndë në kokë. Sipas raportimeve nga Italia, ai ndodhet në koma farmakologjike, por fatmirësisht nuk është në rrezik për jetën.
Ngjarja ndodhi pranë stadiumit, ndërsa tifozi po afrohej së bashku me grupin ultras “Viking” të Milanos. Dyshohet se ai është goditur në kokë nga një bombol lotsjellësi gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë përplasjet mes tifozëve të Juventusit dhe Torinos.
Rasti po hetohet nga autoritetet dhe policia italiane, ndërsa familjarët presin rezultatet e ekzaminimeve të tjera mjekësore për të kuptuar evoluimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Një mik i 36-vjeçarit, Mattia, ka dhënë një dëshmi të fortë për mediet italiane, duke akuzuar policinë për përdorim të rrezikshëm të lotsjellësit.
“Pas hedhjes së sendeve mes tifozëve të Juventusit dhe Torinos nisi një përleshje, por më duket e tepërt të qëllosh me lotsjellës në lartësinë e njeriut. E pashë me sytë e mi momentin kur goditi Markon në kokë. Ishte një skenë e tmerrshme”, deklaroi ai.
Sipas dëshmisë së tij, agjenti që qëlloi ndodhej shumë pranë grupit të tifozëve.
“Ai qëlloi nga 10 deri në 20 metra largësi. Lotsjellësi duhej hedhur lart dhe jo drejt njerëzve. Marco u rrëzua menjëherë në tokë dhe ambulanca vonoi shumë për të ardhur. Në spital mbërriti më shumë se një orë më vonë”, shtoi miku i tifozit bardhezi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: