Sezoni në Serie A është mbyllur në mënyrën më dramatike të mundshme për dy nga klubet më të mëdha të futbollit italian. Milani dhe Juventusi kanë mbetur zyrtarisht jashtë Ligës së Kampioneve, një ngjarje që nuk kishte ndodhur prej plot 35 vitesh.
Drama më e madhe u konsumua në “San Siro”, aty ku Milani u mposht me përmbysje 1-2 nga Cagliari përpara tifozëve të vet. Humbja u kushtoi kuqezinjve një vend në kompeticionin më prestigjioz europian, duke e detyruar skuadrën e Massimiliano Allegrit të kënaqet vetëm me pjesëmarrjen në Europa League, ku do të jetë edhe Juventusi.
Pas vërshëllimave të shumta nga tifozët dhe zhgënjimit të madh në fund të ndeshjes, mediet italiane e kanë cilësuar këtë si një nga dështimet më të rënda të viteve të fundit për futbollin italian. Për të gjetur herën e fundit kur as Milani dhe as Juventusi nuk morën pjesë në Kupën e Kampioneve, duhet të kthehemi te sezoni 1991-92.
Në atë periudhë, Milani mbeti jashtë kompeticioneve europiane për shkak të dënimit pas braktisjes së fushës ndaj Olympique Marseille në Champions, ndërsa Juventusi e kishte mbyllur kampionatin vetëm në vendin e shtatë.
Tashmë, pas më shumë se tri dekadash, historia përsëritet dhe tregon qartë rënien e dy prej klubeve më të mëdha dhe më të suksesshme të futbollit italian. Për të dyja skuadrat pritet një verë e nxehtë, me shumë ndryshime dhe reflektime për të rikthyer prestigjin e humbur.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: