Elbasani ka mbyllur pjesën e parë me një avantazh të thellë 3-0 ndaj Dinamo City-t, në një ndeshje të “Final 4” ku verdheblutë kanë treguar forcë dhe vendosmëri në luftën për titullin kampion.
Skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenović e nisi takimin me ndryshime në formacion, duke i dhënë minuta nga fillimi Loukilit dhe Tsague-s, ndërsa në portë u aktivizua Janaček. Që në minutat e para, Elbasani mori kontrollin e lojës dhe e ktheu dominimin në gola.
Ndeshja u komplikua edhe më shumë për Dinamon në minutat 20’–23’, kur Gudiabi u ndëshkua fillimisht me karton të verdhë dhe më pas me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it, duke e lënë skuadrën blu me një lojtar më pak.
Goli i parë erdhi në minutën e 25-të me Tsague, pas një krosimi perfekt të Loukilit. Vetëm dy minuta më vonë, në të 27-ën, Tsague përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Dinamos dhe realizoi edhe golin e dytë, duke çuar shifrat në 2-0.
Presioni i verdhebluve vazhdoi dhe në minutën e 38-të erdhi edhe goditja e tretë. Diallo shfrytëzoi një top të mbetur brenda zonës, pasi portieri Teqja nuk arriti ta largonte siç duhet pas një aksioni nga krahu i majtë.
Në krahun tjetër, Dinamo City, e drejtuar nga Glen Daja në mungesë të Ilir Dajës për shkak pezullimi, nuk arriti të reagonte ndaj ritmit të lartë të Elbasanit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: