Alarm shëndetësor para Botërorit 2026, shpërthimi i Ebola-s në Kongo prek turneun madhor të verës

Alarm shëndetësor para Botërorit 2026, shpërthimi i Ebola-s në Kongo prek turneun madhor të verës

12:03, 20/05/2026

Vetëm 22 ditë para nisjes së Botërorit 2026, një tjetër problem i papritur ka vënë në alarm organizatorët dhe autoritetet shëndetësore globale: shpërthimi i ri i virusit Ebola në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.

Sipas të dhënave të fundit, janë regjistruar mbi 134 viktima dhe rreth 500 raste të dyshuara, duke e kthyer situatën në një krizë serioze shëndetësore në rajon. Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka shprehur shqetësim të madh për përhapjen e shpejtë të epidemisë.

“Jam thellësisht i shqetësuar për madhësinë dhe shpejtësinë e kësaj epidemie,” është shprehur Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke theksuar se për këtë variant të virusit nuk ekziston ende trajtim apo vaksinë efektive, megjithëse kërkimet janë në zhvillim.

Situata është cilësuar si “emergjencë shëndetësore me rëndësi ndërkombëtare”, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa parandaluese, duke pezulluar për 30 ditë hyrjen e personave që kanë vizituar zonat e prekura si Kongoja, Uganda dhe Sudani i Jugut.

Edhe FIFA ka reaguar duke bërë të ditur se po e monitoron nga afër situatën dhe është në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Futbollit të Kongos për të garantuar sigurinë e ekipit kombëtar dhe respektimin e udhëzimeve mjekësore.

Në parim, pjesëmarrja e Republikës Demokratike e Kongos në turne nuk është në rrezik. Ekipi është i vendosur në Grupin K së bashku me Kolumbinë, Portugalinë dhe Uzbekistanin dhe autoritetet kanë konfirmuar se nuk ka ndryshime në planin e mbërritjes së skuadrës, e cila është parashikuar për më 11 qershor.

Megjithatë, diskutimet vazhdojnë për vendosjen e protokolleve të posaçme shëndetësore, përfshirë testime dhe izolim të kontrolluar për anëtarët e delegacionit që mund të kenë qenë në zonat e rrezikut.

Pavarësisht situatës, zyrtarët theksojnë se këto masa nuk pritet të ndikojnë drejtpërdrejt tek lojtarët, pasi shumica e futbollistëve aktivë të ekipit luajnë në Europë. Megjithatë, shqetësimi mbetet i madh për tifozët dhe stafin që mund të udhëtojë nga zonat e prekura.

Organizatorët mbeten në pritje të zhvillimeve të mëtejshme, ndërsa bota e futbollit po hyn në fazën përfundimtare të përgatitjeve për turneun më të madh në botë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco