Në prag të ndeshjes së parë të Shteteve të Bashkuara në Kupën e Botës 2026, trajneri Mauricio Pochettino ka dërguar një mesazh të qartë për skuadrën dhe opinionin sportiv amerikan, duke kërkuar më shumë përulësi dhe realizëm përballë pritshmërive të larta.
Kombëtarja amerikane do të debutojë ndaj Paraguait, por vëmendjen më të madhe e kanë tërhequr deklaratat e teknikut argjentinas, i cili kritikoi perceptimin e epërsisë që, sipas tij, ekziston rreth futbollit amerikan.
“E pranoj arrogancën e skuadrave si Spanja, Argjentina, Anglia apo Franca, sepse ato kanë fituar dhe kanë një histori të madhe në futboll. Por kur shoh arrogancë te kombëtarja e SHBA-së, mendoj se është një gabim”, deklaroi Pochettino.
Ish-trajneri i Tottenham-it dhe Paris Saint-Germain-it theksoi se prestigji në futboll nuk mund të krahasohet me sukseset që SHBA-ja ka arritur në sporte të tjera.
“Shtetet e Bashkuara mund të jenë më të mirët në basketboll apo hokej, por në futboll nuk kanë fituar prej shumë kohësh”, u shpreh ai.
Pochettino nënvizoi se objektivi i tij është të krijojë një ekuilibër mes ambicies dhe realitetit, duke shmangur euforinë e tepruar.
“Shpresoj që të fitojmë, por është thelbësore të gjejmë balancën e duhur. Ndonjëherë këtu mendojnë se mjafton të jesh i fortë në sporte të tjera për të qenë i fortë edhe në futboll. Nuk funksionon kështu”, shtoi trajneri argjentinas.
Deklaratat e Pochettinos vijnë në një moment kur SHBA-ja synon të bëjë një paraqitje të rëndësishme në Botërorin që organizon së bashku me Kanadanë dhe Meksikën. Megjithatë, tekniku kërkon që skuadra të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të fitojë respektin në fushë, jo përmes reputacionit të krijuar në sporte të tjera.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: