Largimi i mundshëm i Pep Guardiolës nga Manchester City në fund të sezonit mund të sjellë një efekt domino në tregun e transferimeve, duke i hapur rrugën Rodrit për një kalim te Reali i Madridit, aty ku pritet të nisë edhe aventura e José Mourinhos pas largimit të tij nga Benfica.
Sipas medieve spanjolle, drejtuesit madrilenë e shohin mesfushorin spanjoll si njeriun ideal për të rindërtuar repartin qendror pas mbylljes së epokës së Toni Kroosit, Luka Modrićit dhe Casemiros. Në “Valdebebas” besohet se Rodri është profili perfekt për t’i rikthyer ekuilibrin dhe kontrollin skuadrës.
Për vite me radhë, qëndrimi i Rodrit te Manchester City ishte i lidhur ngushtë me Pep Guardiolën. Trajneri katalanas e shndërroi spanjollin në një nga mesfushorët më të mirë në botë, ndërsa bashkëpunimi mes tyre u konsiderua vendimtar për sukseset e “qytetarëve”. Nën drejtimin e Guardiolës, Rodri fitoi gjithçka në Angli dhe në vitin 2024 arriti të triumfonte edhe në garën për “Topin e Artë”.
Megjithatë, situata mund të ndryshojë nëse Guardiola largohet. Reali beson se pa trajnerin katalanas, mundësitë për të bindur lojtarin do të rriten ndjeshëm. Vetë Rodri, që më parë ka luajtur për Atleticon e Madridit, nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për t’u rikthyer në Spanjë dhe ideja për të veshur fanellën e Realit i pëlqen shumë.
Transferimi, gjithsesi, mbetet tepër i komplikuar. Rodri ka kontratë me Manchester City-n deri në vitin 2027 dhe klubi anglez nuk dëshiron të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Megjithatë, dëshira e vetë futbollistit mund të luajë rol kyç në negociata.
Mesfushori 29-vjeçar konsiderohet një lojtar i kompletuar, falë kombinimit të forcës fizike, inteligjencës taktike dhe aftësisë për të organizuar lojën. Pikërisht këto cilësi kërkon Reali për të rikthyer dominimin në mesfushë.
Aktualisht, Rodri mbetet i fokusuar te mbyllja e sezonit në Premier League dhe përgatitjet me Spanjën për Botëror, por në “Santiago Bernabéu” optimizmi për transferimin e tij po rritet gjithnjë e më shumë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: