Arsenali është shpallur zyrtarisht kampion i Premier League për sezonin 2025-2026.
Gjithçka u vulos mbrëmjen e sotme, pasi Manchester City nuk arriti të shkonte më shumë se një barazim 1-1 ndaj Bournemouthit, rezultat që i dha matematikisht titullin skuadrës londineze.
“Topçinjtë” sigurojnë trofeun një javë para fundit të kampionatit, duke kryesuar me 82 pikë, ndërsa Manchester City mbetet në kuotën e 78 pikëve dhe pa mundësi për ta parakaluar Arsenalin në renditje.
Ky është një triumf me peshë të madhe për klubin londinez, që rikthen titullin kampion në “Emirates” pas një pritjeje të gjatë që nga viti 2004.
Këtë herë, ekipi i drejtuar nga Mikel Arteta tregoi pjekuri, vazhdimësi dhe karakter në momentet vendimtare të sezonit, duke e kthyer konsistencën në armën më të fortë drejt titullit.
“Arsenali. Kampionët tuaj të Premier League”, ishte reagimi i klubit londinez menjëherë pas sigurimit matematikor të trofeut.
Për Mikel Artetën, ky sukses konsiderohet kurorëzimi i projektit që ai ndërtoi hap pas hapi në vitet e fundit. Trajneri spanjoll rikthen Arsenalin në majën e futbollit anglez dhe mbyll një cikël të gjatë pritjeje për tifozët e klubit.
Megjithatë, sezoni i Arsenalit ende nuk ka përfunduar. Londinezët kanë përpara edhe finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, ku do të përballen me PSG-në, me ëndrrën për të realizuar një sezon historik.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: