Juventusi rrezikon seriozisht të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve për sezonin 2026-2027, një skenar që do të sillte jo vetëm pasoja sportive, por edhe një goditje të rëndë financiare për klubin torinez.
Humbja 2-0 ndaj Fiorentinës në javën parafundit të Serie A ka komplikuar ndjeshëm situatën e “Zonjës së Vjetër”. Ndërkohë, rivalët direktë si Napoli, Milani, Roma dhe Como arritën fitore të rëndësishme, duke e zbritur Juventusin në vendin e gjashtë, dy pikë larg zonës që siguron pjesëmarrjen në Champions League.
Tashmë bardhezinjtë nuk e kanë më fatin në duart e tyre dhe në javën e fundit do të kenë nevojë edhe për hapa fals të kundërshtarëve për të rikuperuar terren në renditje.
Mungesa në Ligën e Kampionëve do të kishte pasoja të mëdha ekonomike për klubin italian.
Hera e fundit kur Juventusi mbeti jashtë kompeticionit më të rëndësishëm europian ishte sezoni 2023-2024, pas dënimit me 10 pikë minus dhe përjashtimit nga garat e UEFA-s për shkelje financiare.
Ajo periudhë rezultoi katastrofike për bilancet e klubit. Juventusi regjistroi humbje prej 199 milionë eurosh, ndërsa të ardhurat ranë me afro 78 milionë euro krahasuar me sezonin paraardhës.
Në tre sezonet e fundit, të ardhurat e klubit kanë lëvizur nga 438 milionë euro në 2022-2023, në 360 milionë euro në 2023-2024 dhe 420 milionë euro në 2024-2025.
Ndërkohë, humbjet neto kanë qenë respektivisht -124 milionë euro, -199 milionë euro dhe -58 milionë euro.
Edhe nëse Juventusi nuk arrin të sigurojë një vend në Champions, klubi pritet të marrë pjesë të paktën në Ligën e Evropës.
Megjithatë, diferenca financiare mes dy kompeticioneve mbetet shumë e madhe.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, diferenca mes një aventure deri në 1/8 e finales së Champions League dhe një ecurie deri në çerekfinale apo gjysmëfinale të Europa League mund të arrijë në 55 deri në 60 milionë euro më pak të ardhura për klubin italian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: