Kristjan Asllani pritet të rikthehet në Serie A pas përfundimit të aventurës së tij te Beshiktashi.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka luajtur ndeshjen e fundit me klubin turk më 15 maj ndaj Rizesporit, ndërsa drejtuesit e Beshiktashit kanë vendosur të mos blejnë kartonin e tij.
Asllani është pjesë e një eksodi të madh që pritet të ndodhë në klubin turk gjatë verës.
Bashkë me të do të largohen edhe Devis Vaskez, El Bilal Ture dhe Jota Silva, ndërsa te Beshiktashi pritet një revolucion i thellë në skuadër.
24-vjeçari e mbyll eksperiencën në Turqi me 17 ndeshje të zhvilluara, duke realizuar dy gola dhe dy asistime.
Megjithatë, performancat e tij nuk bindën klubin turk për të investuar në transferimin përfundimtar.
E ardhmja e Asllanit mbetet ende e hapur. Kristian Kivu nuk e konsideron pjesë të planeve të Interit për sezonin e ardhshëm dhe për këtë arsye mesfushori shqiptar ishte lejuar të largohej në formë huazimi.
Kontrata e Asllanit me zikaltrit është e vlefshme deri në vitin 2028, por drejtuesit e Interit mund të ulin pretendimet financiare për kartonin e tij gjatë merkatos së verës.
Nuk përjashtohet mundësia që lojtari të huazohet sërish në një tjetër klub të Serie A, me synimin për të gjetur më shumë hapësira dhe vazhdimësi në karrierë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: