Stoli i Kombëtares shqiptare vazhdon të mbetet një nga postet më të rëndësishme në futbollin shqiptar, jo vetëm për aspektin sportiv, por edhe për peshën financiare që mbart.
Pas largimit të Sylvinhos, Federata Shqiptare e Futbollit ka zgjedhur një qasje më të kujdesshme me emërimin e Rolando Maran në krye të kuqezinjve.
Sipas TCh, paketa financiare e stafit të drejtuar nga Maran do t’i kushtojë FSHF-së rreth 400 mijë euro në vit.
Një shifër dukshëm më e ulët krahasuar me periudhën e Sylvinhos, ku shpenzimet për stafin teknik arrinin afërsisht në 1 milion euro në sezon.
Rritja e investimeve për trajnerët nisi gjatë periudhës së Gianni De Biasit.
Fillimisht italiani përfitonte rreth 300 mijë euro në vit, ndërsa pas kualifikimit historik në Euro 2016 kontrata e tij u përmirësua me rreth 15 për qind.
Pas largimit të De Biasit, FSHF ruajti një nivel të ngjashëm financiar edhe për Christian Panuccin dhe Edy Rejan.
Të dy trajnerët italianë përfituan rreth 400 mijë euro në vit, përfshirë edhe stafet e tyre teknike.
Kulmi i investimeve erdhi me Sylvinhon, i cili solli në staf emra të njohur si Pablo Zabaleta dhe Doriva.
Federata rriti ndjeshëm buxhetin, duke synuar një nivel më të lartë konkurrues.
Investimi rezultoi i suksesshëm, pasi Shqipëria siguroi kualifikimin në Kampionatin Europian.
Me ardhjen e Maranit, FSHF duket se i është rikthyer modelit të mëparshëm financiar, duke ulur ndjeshëm kostot e stafit teknik.
Paketa prej 400 mijë eurosh në vit përkthehet në rreth 33 mijë euro në muaj dhe afro 1,095 euro në ditë për drejtimin teknik të Kombëtares shqiptare.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: