Trajneri Antonio Conte ka vendosur të largohet nga Napoli në fund të sezonit, duke i dhënë fund aventurës së tij dyvjeçare në stolin e kampionëve napolitanëve. Sipas raportimeve nga mediet italiane, ndarja do të jetë miqësore dhe pritet të zyrtarizohet pas ndeshjes ndaj Udinese.
Tekniku italian konsideron se cikli i tij te Napolit ka përfunduar, pasi arriti t’i dhurojë klubit një titull kampion të shumëpritur dhe gjithashtu Superkupën e Italisë. Conte besohet se nuk do të ndryshojë mendim, madje është gati të heqë dorë edhe nga 8 milionë euro që do të përfitonte nga kontrata e vlefshme deri në qershor të vitit 2027.
Raporti i mirë me presidentin Aurelio De Laurentiis ka bërë që largimi të ndodhë pa tensione, ndërsa vetë kreu i klubit nuk pritet të kundërshtojë vendimin e trajnerit. Madje, sipas raportimeve, De Laurentiis mund të jetë ai që do të bëjë publik lajmin përpara nisjes së skuadrës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndeshja ndaj Udineses pritet të jetë e fundit e Contes në stolin e Napolit. Bilanci i tij deri tani është pozitiv, me 53 fitore, 19 barazime dhe 18 humbje.
Në prapaskenë nuk duket të ketë oferta konkrete nga klube të tjera apo nga kombëtare. Për momentin, Conte nuk ka një destinacion të ri dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të marrë një vit pushim nga futbolli.
Napoli ndërkohë pritet të nisë një fazë të re, me reduktim të shpenzimeve dhe rinovim të skuadrës, pasi klubi synon të respektojë parametrat financiarë në sezonin e ardhshëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: