Manchester United po përgatitet seriozisht për një ofensivë në merkato, me objektivin kryesor që mbetet ylli portugez i Milanit, Rafael Leao.
Klubi anglez synon të përforcojë repartin ofensiv para sezonit të ri dhe drejtuesit e “Djajve të Kuq” e konsiderojnë Leaon si profilin ideal për sulmin.
Sulmuesi 26-vjeçar ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Milanit në vitet e fundit.
Që nga transferimi i tij në Itali, Leao ka zhvilluar 290 ndeshje zyrtare me kuqezinjtë, duke realizuar 80 gola dhe 65 asistime, statistika që kanë tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, Manchester United është i vetëdijshëm se Milani nuk do ta lejojë lehtë largimin e portugezit.
Për këtë arsye, anglezët po mendojnë një ofertë të kombinuar, ku përveç rreth 50 milionë eurove do të përfshihej edhe një lojtar.
Në listën e futbollistëve që mund të përdoren si pjesë e marrëveshjes përmenden emra si Manuel Ugarte, Joshua Zirkzee dhe Marcus Rashford.
Situata e Rashford mbetet interesante, pasi sulmuesi anglez aktualisht ndodhet në huazim te Barcelona, ndërsa drejtuesit katalanas ende nuk kanë vendosur nëse do ta aktivizojnë opsionin e blerjes përfundimtare.
Për Leaon interesim kanë shfaqur edhe klube të tjera të mëdha europiane si Real Madrid, Bayern Munich, Arsenal dhe Liverpool, por deri tani Manchester United duket skuadra më e gatshme për të bërë një lëvizje konkrete në drejtim të yllit portugez.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: