Ka nisur këtë të hënë edicioni i 83-të i Turit Çiklistik të Shqipërisë, një prej aktiviteteve sportive më tradicionale dhe më të rëndësishme në vend. Gara do të zgjasë pesë ditë, deri më 22 maj, duke përshkuar disa nga qytetet dhe akset kryesore të Shqipërisë.
Në këtë edicion marrin pjesë 20 skuadra nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës, duke sjellë një rivalitet të fortë sportiv përgjatë etapave të ndryshme.
Shqipëria përfaqësohet nga çiklistët Olsian Veliaj, Lukas Sulaj Kloppenborg, Gabriele De Fabritis, Valentino Kamberaj, Marolino Hoxha dhe Leo Piku, nën drejtimin e trajnerit Mejdin Melhani.
Turi nisi nga Sheshi “Skënderbej” në Tiranë me etapën e parë prej 177.4 kilometrash, që përfundon në Lezhë. Më pas gara do të vazhdojë me etapën Lezhë–Elbasan, me gjatësi 149.8 kilometra, ndërsa etapa e tretë do të lidhë Elbasanin me Vlorën në një itinerar prej 172.3 kilometrash.
Etapa e katërt do të zhvillohet në qarkun e Vlorës, me nisje dhe mbërritje në të njëjtin qytet, në një distancë prej 148.8 kilometrash. Gara do të mbyllet me etapën finale Vlorë–Fier, e gjatë 122.7 kilometra, ku do të shpallen edhe fituesit e këtij edicioni.
Përveç aspektit sportiv, Turi Çiklistik konsiderohet edhe një mundësi e mirë për promovimin e bukurive turistike dhe natyrore të Shqipërisë, pasi gara kalon në disa prej zonave më të njohura të vendit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: