Real Madridi ka njoftuar zyrtarisht se kapiteni i ekipit, Dani Carvajal, do të largohet nga klubi në fund të sezonit aktual, duke mbyllur një nga historitë më të gjata dhe më të suksesshme në historinë e “Los Blancos”.
Në komunikatën zyrtare, klubi madrilen shprehu mirënjohje dhe respekt të thellë për një prej legjendave të tij më të mëdha, duke theksuar kontributin e jashtëzakonshëm të mbrojtësit spanjoll gjatë gjithë karrierës së tij.
Carvajal ka qenë pjesë e Real Madridit që nga viti 2002, duke kaluar 10 vite në akademi dhe 13 me ekipin e parë. Gjatë kësaj periudhe, ai ka fituar plot 27 trofe, përfshirë 6 Liga të Kampionëve, 6 Kupa të Botës për Klube, 5 Superkupa të Evropës, 4 tituj të La Ligës, 2 Kupa të Mbretit dhe 4 Superkupa të Spanjës.
Në aspektin individual, ai është përfshirë në formacionin më të mirë të FIFPro 2024, ka fituar çmimin “The Best” për formacionin ideal të FIFA-s dhe është shpallur lojtari më i mirë i finales së Champions League 2024, ku madje shënoi edhe gol.
Në total, Carvajal ka zhvilluar 450 ndeshje me fanellën e Real Madridit, duke shënuar 14 gola, ndërsa me kombëtaren e Spanjës ka luajtur 51 ndeshje, duke fituar Euro 2024 dhe Ligën e Kombeve 2023.
Presidenti Florentino Pérez e ka cilësuar atë si një simbol të klubit dhe të akademisë së Real Madridit, duke theksuar se ai përfaqëson në mënyrë shembullore vlerat e skuadrës.
Real Madridi ka bërë të ditur gjithashtu se stadiumi “Santiago Bernabéu” do t’i kushtojë një homazh Carvajal-it këtë të shtunë, në ndeshjen e fundit të kampionatit të këtij sezoni.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: