Antoine Griezmann i ka dhënë fund një epoke të gjatë me Atletico Madridin, në një ndeshje emocionale kundër Girona-s, që shënoi edhe lamtumirën në stadiumin “Metropolitano”.
Sulmuesi francez u përshëndet nga tifozët në një ceremoni që zgjati më shumë se 40 minuta, ku morën pjesë edhe drejtues të klubit, shokë skuadre dhe trajneri Diego Simeone, i cili u përlot gjatë momentit të ndarjes. Në fushë ishte edhe familja e tij, bashkëshortja dhe tre fëmijët, të cilët e shoqëruan gjatë gjithë fjalimit emocional.
Gjatë fjalës së tij të lamtumirës, Griezmann nuk harroi të kërkonte falje për periudhën e kaluar te Barcelona, një vendim që ai vetë e cilësoi si gabim në karrierën e tij.
“Dua të kërkoj falje përsëri. Është diçka e rëndësishme. Nuk e kuptoja sa shumë dashuri kisha këtu. Isha shumë i ri dhe bëra një gabim kur u largova. E kuptova më vonë dhe bëra gjithçka që ishte e mundur për t’u kthyer”, u shpreh francezi me emocione të forta.
Griezmann kaloi te Barcelona në vitin 2019 dhe qëndroi për dy sezone, përpara se të rikthehej tek Atletico Madrid, ku rifitoi rolin e tij si një nga lojtarët kryesorë të skuadrës së Simeones.
Në fund të ceremonisë, ai falënderoi klubin, tifozët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë viteve, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij në futbollin spanjoll, me synimin për një aventurë të re në Shtetet e Bashkuara.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: