Endrick ka mbyllur aventurën e tij tek Olympique Lyonnais, pas vetëm pesë muajsh huazim nga Real Madrid. Klubi francez ka konfirmuar se sulmuesi i ri brazilian do të largohet në fund të sezonit, duke i dhënë fund një periudhe të shkurtër por mjaft produktive.
Lamtumira e tij u duk qartë gjatë humbjes së rëndë 4-0 ndaj Lens-it, ku në minutën e 71-të, gjatë zëvendësimit, Endrick përshëndeti tifozët me duartrokitje, duke lënë përshtypjen e një ndarjeje përfundimtare.
Pavarësisht kohës së shkurtër në Ligue 1, 19-vjeçari la gjurmë të rëndësishme me 8 gola dhe 8 asistime në 21 ndeshje në të gjitha garat. Performancat e tij kanë bërë që klubi francez të mendojë edhe për mundësinë e vazhdimit të huazimit, por kjo nuk u realizua.
Drejtori sportiv, Matthieu Louis-Jean, vlerësoi kontributin e tij, duke theksuar adaptimin e shpejtë dhe profesionalizmin e lojtarit: “Endrick na dha shumë në një kohë të shkurtër. U përshtat në mënyrë të jashtëzakonshme dhe është një djalë shumë i veçantë. Ai dha pikërisht atë që prisnim”.
Nga ana e tij, klubi pranoi se bashkëpunimi përfundon këtu, duke e cilësuar periudhën me brazilianin si pozitive dhe të suksesshme.
Endrick pritet të rikthehet te Real Madridi, ku do të tentojë të fitojë më shumë hapësira në një skuadër plot ‘yje’, pas përvojës së vlefshme në futbollin francez. Ndërkohë, Lioni i drejtuar nga Paulo Fonseca tashmë fokusohet tek e ardhmja dhe kualifikimet për Ligën e Kampionëve.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: