Legjenda e Manchester United, Eric Cantona, ka zbuluar një prapaskenë të papritur nga koha e tij në “Old Trafford”, duke treguar se karriera e tij te klubi anglez ishte shumë pranë përfundimit më herët sesa mendohej.
Sipas Cantona-së, trajneri legjendar Sir Alex Ferguson kishte qenë në një moment i gatshëm ta largonte nga skuadra për shkak të sjelljeve të tij të diskutueshme dhe temperamentit të fortë. Megjithatë, vendimi final nuk erdhi kurrë falë një ndërhyrjeje vendimtare nga bashkëshortja e Ferguson-it, e ndjera Cathy Ferguson, e cila e bindi trajnerin të vazhdonte me sulmuesin francez.
“Ka qenë një moment kur ai donte të më largonte, por bashkëshortja e tij e bindi të vazhdonte me mua”, ka deklaruar Cantona, duke kujtuar periudhën e tij të trazuar por edhe të suksesshme në Angli.
Francezi u transferua te Manchester United në vitin 1992 dhe, pavarësisht polemikave të shumta, u kthye në një nga figurat kyçe të dominimit të klubit në Premier League, duke fituar katër tituj kampion dhe dy FA Cup.
Cantona ka theksuar gjithashtu se marrëdhënia e tij me Ferguson-it ishte komplekse, por vendimtare për karrierën e tij, ndërsa ka kujtuar edhe këshillat e trajnerit francez Guy Roux, i cili e kishte drejtuar në fillimet e tij tek Auxerre.
“Duhet ta duash atë dhe ai do të të japë jetën e tij në këmbim”, ka kujtuar Cantona fjalët e Roux, duke e lidhur këtë filozofi me suksesin e tij në Angli.
Megjithatë, ish-sulmuesi francez ka pranuar se u tërhoq nga futbolli në moshën 31-vjeçare, duke thënë se kishte humbur “flakën” dhe pasionin që e kishte shtyrë gjatë gjithë karrierës së tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: