Barcelona vazhdon të shkruajë histori në futbollin spanjoll. Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick u bë ekipi i parë në historinë e LaLiga-s që fiton të gjitha ndeshjet si vendase në një sezon me 20 skuadra.
Triumfi 3-1 ndaj Real Betisit vulosi një sezon perfekt në shtëpi për katalanasit, që i fituan të 19 takimet para tifozëve të tyre. Protagonistë në sfidën e fundit ishin Raphinha me dy gola dhe João Cancelo me një realizim tjetër.
Barcelona e arriti këtë rekord duke luajtur në tri stadiume të ndryshme gjatë sezonit. Katalanasit fituan ndaj Valencias dhe Getafes në “Johan Cruyff”, mposhtën Real Sociedadin, Girona-n dhe Elche-n në “Estadi Olímpic Lluís Companys”, ndërsa në “Spotify Camp Nou” triumfuan ndaj skuadrave si Real Madridi, Atlético Madrid, Sevilla, Villarreali dhe Betisi.
Statistikat e Barcelonës në shtëpi kanë qenë mbresëlënëse. ‘Blaugranat’ realizuan 57 gola dhe pësuan vetëm 10 gjatë gjithë sezonit si vendas.
“Ne duam të fitojmë gjithmonë dhe ta mbyllësh sezonin duke fituar çdo ndeshje në shtëpi është diçka spektakolare”, deklaroi Raphinha pas ndeshjes.
Edhe Flick u shfaq krenar për suksesin historik të skuadrës së tij. “Jam shumë krenar për ekipin. E arritëm objektivin tonë, që ishte të fitonim të 19 ndeshjet para tifozëve tanë”, u shpreh trajneri gjerman.
Barcelona e mbyll sezonin 2025/26 me fitimin e LaLiga-s dhe Superkupës së Spanjës, duke hyrë njëkohësisht në historinë e kampionatit spanjoll falë ecurisë perfekte në shtëpi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: