Lionel Messi vazhdon të dhurojë spektakël në MLS. ‘Ylli’ argjentinas ishte protagonisti absolut në fitoren dramatike 5-3 të Inter Miamit ndaj Cincinnati-t, në një sfidë plot emocione të zhvilluar në “TQL Stadium”.
Me Kupan e Botës 2026 që afrohet, Messi po kalon një formë të jashtëzakonshme. Tetë herë fituesi i “Topit të Artë” realizoi dy gola, dhuroi një asist dhe detyroi edhe një autogol, duke udhëhequr skuadrën e tij drejt një tjetër fitoreje të rëndësishme.
Argjentinasi zhbllokoi takimin në minutën e 24-t, kur devijoi në rrjetë një top të larguar keq nga mbrojtja vendase. Në pjesën e dytë ai realizoi edhe golin e dytë personal pas një kombinimi me bashkëkombasin Rodrigo De Paul.
Messi mendoi se kishte kompletuar “hat-trick”-un në minutën e 89-të, por goli u regjistrua si autogol i portierit Roman Celentano. Gjithsesi, ndikimi i tij në ndeshje ishte vendimtar, pasi ai asistoi edhe Mateo Silvetti-n në një nga golat e sfidës.
Falë kësaj paraqitjeje fantastike, Messi ka arritur në kuotën e 11 golave dhe 5 asistimeve këtë sezon, duke kryesuar MLS për kontributet në gola. Në tri ndeshjet e fundit, argjentinasi ka realizuar 4 gola dhe ka dhënë 5 asistime.
Trajneri i përkohshëm i Inter Miami-t, Guillermo Hoyos, nuk i kurseu elozhet për skuadrën dhe liderin e saj.
“Ka lojtarë që e bëjnë kampionatin më të mirë dhe Messi është një prej tyre. Ai punon shumë dhe sot tregoi edhe një herë nivelin e tij të jashtëzakonshëm”, deklaroi Hoyos.
Pas kësaj fitoreje, Inter Miami renditet në vendin e dytë në Konferencën e Lindjes, vetëm dy pikë pas Nashville SC.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: