Barazimi me pikë në ‘Final 4’, ja çfarë thotë rregullorja

Barazimi me pikë në ‘Final 4’, ja çfarë thotë rregullorja

08:43, 18/05/2026

Gara për titullin në ‘Final 4’ të Abissnet Superiores është bërë edhe më e fortë pas javës së parë, ku të tria skuadrat, Vllaznia, Elbasani dhe Egnatia, ndodhen me nga 31 pikë në renditje.

Disfata e Vllaznisë dhe humbja e Elbasanit ndaj Egnatias kanë krijuar një situatë interesante në krye të klasifikimit, ku tashmë vendimtare bëhen ndeshjet direkte mes skuadrave dhe jo golavarazhi i përgjithshëm.

Sipas rregullores së Superiores, në rast se dy ose më shumë ekipe e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, klasifikimi përcaktohet nga rezultatet në përballjet direkte. Pikërisht ky kriter favorizon aktualisht Vllazninë.

Para ndeshjeve të fundit, Vllaznia dhe Elbasani ndanin vendin e parë me të njëjtën kuotë pikësh, por verdheblutë kishin avantazh në duelet direkte ndaj shkodranëve. Megjithatë, hyrja e Egnatias në këtë ekuacion ka ndryshuar gjithçka, pasi tashmë për llogaritë merren parasysh edhe rezultatet ndaj skuadrës rrogozhinase.

Në miniklasifikimin mes tri skuadrave, ku përfshihen si ndeshjet e sezonit të rregullt ashtu edhe ato të “Final 4”, Vllaznia kryeson me 14 pikë, Elbasani ka 12, ndërsa Egnatia vetëm 8.

Kjo do të thotë se, nëse sezoni do të mbyllej sot me këto pikë, Vllaznia do të ishte skuadra që do të përfitonte nga rregullorja dhe do të mbante vendin e parë, përpara Elbasanit dhe Egnatias.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco