E ardhmja e Maurizio Sarrit te Lazio duket gjithnjë e më larg. Pas humbjes në derbin e Romës, trajneri italian shpërtheu me deklarata të forta ndaj klubit dhe presidentit Claudio Lotito, duke lënë të kuptohet se aventura e tij në kryeqytet është pranë fundit.
“Nuk jam dëgjuar për asgjë”, ishte një nga frazat më të forta të Sarrit pas ndeshjes, një sinjal i qartë për pakënaqësinë e tij ndaj mënyrës së menaxhimit të klubit dhe merkatos.
Sipas medieve italiane, tekniku toskan mund të nisë shumë shpejt një aventurë të re tek Atalanta. Klubi bergamask po përgatitet për epokën pas Gian Piero Gasperinit dhe emri i Sarrit konsiderohet prioriteti kryesor për stolin zikaltër.
Një rol të rëndësishëm në këtë operacion pritet të ketë edhe Cristiano Giuntoli, i cili mund të bëhet drejtori i ri sportiv i Atalantës. Giuntoli besohet se e sheh Sarri-n si njeriun ideal për rilançimin e skuadrës pas një sezoni të vështirë.
Megjithatë, marrëveshja nuk është mbyllur ende. Fillimisht Sarri do të takohet me presidentin Lotito për të diskutuar të ardhmen. Ndryshe nga vera e kaluar, këtë herë trajneri nuk duket i gatshëm të pranojë kompromis, sidomos për çështjet që lidhen me merkaton dhe projektin sportiv.
Ndërkohë, në sfond për Lazion përmendet edhe emri i Gennaro Gattusos si kandidat i mundshëm për pankinën bardhekaltër.
Lëvizje të shumta priten edhe në stolat e tjerë të Serie A. Mes emrave të përfolur mbetet edhe Raffaele Palladino, që po pret ofertën e duhur, ndërsa Napoli vazhdon të analizojë situatën e Antonio Contes.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: