Cleveland Cavaliers arritën një sukses të madh në “play-off”-in e NBA-së, duke siguruar kualifikimin në finalet e Konferencës së Lindjes pas triumfit 125-94 ndaj Detroit Pistons në ndeshjen vendimtare të serisë.
Cavaliers fituan 4-3 me ndeshje dhe realizuan surprizën më të madhe të këtij edicioni, pasi eliminuan skuadrën që kishte mbyllur sezonin e rregullt si më e mira në Lindje. Detroit nuk arriti të shfrytëzonte avantazhin e parketit dhe u dorëzua në sfidën e shtatë.
Takimi u dominua nga Cleveland pothuajse nga fillimi deri në fund. Shkëlqeu Donovan Mitchell me 26 pikë, ndërsa mbështetje të rëndësishme dhanë edhe Jarrett Allen e Sam Merrill, që realizuan nga 23 pikë secili. Po ashtu, Evan Mobley kontribuoi me 21 pikë në këtë fitore bindëse.
Detroiti vuajti mungesën e liderit të skuadrës dhe nuk arriti të rivalizonte në momentet kyçe të përballjes.
Në finalen e Konferencës së Lindjes, Cleveland Cavaliers do të sfidojnë New York Knicks, që kaluan pa probleme Philadelphia 76ers me rezultatin e përgjithshëm 4-0.
Në Konferencën e Perëndimit, Oklahoma City Thunder do të përballen me San Antonio Spurs në finale, pasi eliminuan respektivisht Los Angeles Lakers dhe Minnesota Timberwolves.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: