Barcelona e mbylli në mënyrën më të mirë sezonin në LaLiga, duke triumfuar 3-1 ndaj Real Betis në “Camp Nou”. Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick realizoi një arritje historike, pasi për herë të parë që nga sezoni 1959/60 e përfundoi kampionatin pa asnjë humbje në shtëpi.
Katalanasit e nisën takimin me ritëm të lartë dhe dominuan minutat e para. João Cancelo ishte shumë aktiv në krah, ndërsa Betisi mendoi se kishte kaluar në avantazh në minutën e 23-të me Abde Ezzalzoulin, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Pak minuta më vonë, braziliani Raphinha zhbllokoi sfidën me një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë perfekte, duke mposhtur portierin Álvaro Valles. Barcelona vazhdoi të kontrollonte lojën deri në fundin e pjesës së parë, ndërsa Joan García bëri një pritje të rëndësishme ndaj një tjetër tentative të Abdes.
Në pjesën e dytë ritmi ra disi, por Barcelona goditi sërish pas një gabimi të rëndë të Héctor Bellerín. Raphinha përfitoi nga pasimi i gabuar i mbrojtësit dhe realizoi golin e dytë personal me një goditje të ulët.
Betisi u rikthye në lojë 20 minuta para fundit, kur Isco shënoi nga pika e bardhë për golin e tij të parë sezonal. Miqtë iu afruan barazimit me një goditje të bukur të Antony, por topi nuk përfundoi në rrjetë.
Në fund, Cancelo vulosi triumfin e Barcelonës me një supergol nga distanca, duke kompletuar një mbrëmje festive për kampionët e LaLiga-s. Kjo ishte fitorja e 12-të e Barcelonës ndaj Betisit në 15 përballjet e fundit mes tyre.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: