LASK ka shkruar historinë në futbollin austriak, duke u shpallur kampion i Austrisë për herë të parë pas plot 61 vitesh. Skuadra nga Linzi triumfoi 3-0 ndaj Austrisë së Vjenës në javën e fundit të Bundesligës dhe siguroi titullin që mungonte që nga viti 1965, duke kompletuar edhe “dopietën” historike.
Ky sukses i dha fund dominimit të gjatë të Sturm Graz dhe RB Salzburg në futbollin austriak.
Sturm kishte fituar dy titujt e fundit, ndërsa Salzburg kishte sunduar kampionatin me dhjetë trofe radhazi.
Heroi i madh i sezonit konsiderohet trajneri Dietmar Kühbauer.
55-vjeçari mori drejtimin e ekipit në tetor të vitit të kaluar, kur LASK ndodhej në fundin e tabelës, dhe arriti ta transformojë skuadrën deri në fitimin e titullit kampion.
Në Vjenë, rreth 2.500 tifozë të LASK-ut krijuan atmosferë festive, edhe pse tensioni ishte i madh pasi skuadrës i mjaftonte edhe një barazim për titullin.
Goli i parë erdhi në minutën e 38-të me Xavier Mbuamba, i cili shfrytëzoi një situatë pas rivënies anësore dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Në pjesën e dytë, LASK fitoi një penallti pas ndërhyrjes së portierit Sahin-Radlinger ndaj Sasa Kalajdzic.
Samuel Adeniran nuk gaboi nga pika e bardhë dhe dyfishoi rezultatin në 2-0.
Festën e madhe e vulosi Melayro Bogarde në minutën e 76-të, duke shënuar golin e tretë që konfirmoi triumfin historik të klubit nga Linzi.
Pas këtij rezultati, Sturm Graz e mbylli sezonin në vendin e dytë dhe bashkë me LASK-un siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, Austria e Vjenës përfundoi e katërta, ndërsa Rapidi do të kalojë në fazat eliminatore të garave evropiane.
Pjesë e skuadrës kampione është edhe futbollisti shqiptar Art Smakaj, i cili prej muajsh po vuan nga një dëmtim serioz në gju që e ka mbajtur larg fushave që nga shtatori i vitit 2025.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: