Gara e Moto GP në pistën e Montmelo në Spanjë u kthye në një skenë ankthi për pilotët dhe tifozët, pasi dy aksidente të rënda tronditën të gjithë të pranishmit dhe lanë në plan të dytë rezultatin sportiv.
Dy pilotë përfunduan në spital pas përplasjeve dramatike, fatmirësisht pa rrezik për jetën.
Aksidenti i parë ndodhi në xhiron e 12-të, kur Aleks Markez me Ducati tentoi të shmangte motorin KTM të Pedro Akostas, i cili po përballej me probleme teknike në pistë.
Spanjolli humbi kontrollin e motorit, doli jashtë piste dhe u përplas me shpejtësi të madhe me barrierat mbrojtëse.
Pamjet e incidentit shkaktuan panik te spektatorët dhe vetë pilotët, pasi Markez fluturoi në ajër para se të përfundonte dhunshëm në tokë.
Gara u ndërpre menjëherë dhe piloti u transportua me urgjencë në spital.
Më vonë u konfirmua se ai kishte pësuar trauma dhe disa fraktura, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Megjithatë, dramat në Montmelo nuk përfunduan aty. Pas rifillimit të garës ndodhi një tjetër aksident i frikshëm që ngriti në këmbë të gjithë pistën.
Pas një përplasjeje mes disa motorëve, këmba e Johan Zarkos ngeci te motori i Françesko Banjajas, duke e tërhequr pilotin francez jashtë piste mes rrotullimeve të motorit.
Edhe kjo situatë solli ndërprerjen e garës, ndërsa Zarco u dërgua menjëherë në spital për ekzaminime të detajuara. Raportet paraprake flasin për fraktura në këmbë, por pa dëmtime serioze në pjesën e sipërme të trupit.
Pamjet e dy aksidenteve kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, ndërsa tifozët dhe pilotët kanë reaguar të tronditur për atë që ndodhi në pistën spanjolle.
VIDEO
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: