Përfundon takimi i FIFA-s me Iranin, merret vendimi për Botërorin

Përfundon takimi i FIFA-s me Iranin, merret vendimi për Botërorin

16:34, 17/05/2026

Pjesëmarrja e Kombëtares së Iranit në Kupën e Botës 2026 duket se nuk do të vihet më në rrezik.

Pas javësh pasigurie dhe tensionesh politike, FIFA zhvilloi një takim me drejtuesit e Federatës iraniane të futbollit, duke dhënë sinjale pozitive për praninë e Iranit në turneun që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, konfirmoi se takimi me presidentin e Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, ishte konstruktiv dhe produktiv.

“Patëm një takim të shkëlqyer dhe konstruktiv me përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Iranit. Ne po punojmë së bashku dhe mezi presim t’i mirëpresim ata në Kupën e Botës”, deklaroi Grafström gjatë vizitës së tij në Stamboll.

Pjesëmarrja e Iranit ishte vënë në pikëpyetje pas tensioneve politike dhe sulmeve të fundit ndaj vendit në fund të shkurtit. Situata u komplikua edhe më shumë pasi Mehdi Taj u ndalua të hynte në Kanada për shkak të lidhjeve të dyshuara me IRGC-në, organizatë që konsiderohet terroriste nga SHBA-ja dhe Kanadaja.

Megjithatë, pala iraniane bëri të ditur se FIFA kishte ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet problematike.

“Shpresoj që ekipi ynë kombëtar të shkojë në Kupën e Botës pa probleme dhe të arrijë rezultate të mira”, tha Taj pas takimit.

Grafström shmangu komentet direkte për çështjen e vizave të lojtarëve iranianë, por theksoi se FIFA po punon për të garantuar zhvillimin normal të turneut.

Ndërkohë, Irani kishte kërkuar që ndeshjet e grupit të zhvilloheshin në Meksikë, por presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka insistuar që sfidat të luhen sipas planit fillestar në stadiumet e përcaktuara më parë.

Kombëtarja iraniane do të udhëtojë të hënën drejt Turqisë për fazën përgatitore, ndërsa më pas do të zhvendoset në Tucson për kampin stërvitor para nisjes së Botërorit.

Irani do ta nisë aventurën në Kupën e Botës më 15 qershor në Los Angeles ndaj Zelandës së Re, përpara përballjeve me Belgjikën dhe Egjiptin në Grupin G.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco