Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u shfaq i zhgënjyer pas humbjes 2-0 ndaj Dinamo City-t, duke pranuar se skuadra e tij bëri një paraqitje nën pritshmëri në një ndeshje që “nuk duhej humbur kurrsesi”.
Tekniku shkodran theksoi se Vllaznia nuk ishte në nivelin e duhur në pjesën e parë, ndërsa në të dytën reagoi më mirë dhe krijoi raste, por kartoni i kuq ndikoi shumë në rrjedhën e lojës.
“Rritëm lojën në pjesën e dytë dhe krijuam raste, por nuk treguam agresivitetin dhe kthjelltësinë e duhur para portës. Kishte nervozizëm dhe mungesë besimi”, deklaroi Martini.
Ai pranoi se humbja ka ulur ndjeshëm shanset e Vllaznisë për titullin kampion, por insistoi se gjithçka mbetet e hapur nëse skuadra fiton dy ndeshjet e fundit.
“Kemi ende dy ndeshje dhe nëse i fitojmë të dyja, atëherë mund të shpallemi kampionë. Duhet të përqendrohemi dhe të ruajmë qetësinë”, u shpreh trajneri.
Martini foli edhe për gabimet në repartin difensiv, duke theksuar se ato erdhën kryesisht nga mungesa e komunikimit mes lojtarëve, por refuzoi të fajësojë individë të veçantë.
“Kur gabojmë, gabojmë të gjithë, duke filluar nga unë i pari”, shtoi ai.
Në fund, trajneri i Vllaznisë kërkoi mbështetje për skuadrën para duelit të radhës ndaj Egnatia-s, që konsiderohet vendimtar në garën për titullin kampion.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: