Chelsea është shumë pranë emërimit të Xabi Alonso-s si trajner i ri me një kontratë 4-vjeçare, pasi palët kanë arritur një marrëveshje në parim.
Ish-trajneri i Real Madridit është zgjedhja e parë e drejtuesve të Chelsea-t dhe njoftimi zyrtar pritet të bëhet para ndeshjes ndaj Tottenham Hotspur në Premier League.
Bisedimet mes palëve janë përshpejtuar gjatë kësaj jave, ndërsa Alonso, i cili është pa ekip që prej largimit nga Real Madridi në janar, ka dhënë miratimin paraprak për projektin e klubit londinez.
Chelsea është në një periudhë rindërtimi pas një sezoni të vështirë, ku ndryshimet e shpeshta në stol dhe rezultatet e dobëta e kanë lënë skuadrën jashtë garave të rëndësishme europiane. Humbja 1-0 ndaj Manchester City-t në finalen e FA Cup vetëm sa ka shtuar presionin mbi drejtuesit.
Alonso shihet si një nga trajnerët më premtues në Europë, pas suksesit të madh me Bayer Leverkusen, ku fitoi edhe Bundesligën në vitin 2024. Ai do të jetë trajneri i gjashtë permanent i Chelseat që nga marrja e klubit nga BlueCo në vitin 2022.
Raportohet se spanjolli ka kërkuar garanci mbi projektin sportiv dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në merkato, me klubin që pritet të fokusohet në afrimin e disa lojtarëve me eksperiencë gjatë verës.
Chelsea aktualisht po mbyll sezonin me një trajner të përkohshëm në stol dhe rrezikon sërish mungesën në kompeticionet europiane, por pavarësisht kësaj, mbetet një projekt tërheqës për një emër të madh si Xabi Alonso, i cili dëshiron të rikthehet në futbollin anglez edhe si trajner.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: