Mohamed Salah ka reaguar ashpër pas humbjes së radhës së Liverpoolit në Premier League, duke dërguar një mesazh të fortë për skuadrën dhe trajnerin Arne Slot.
Sulmuesi egjiptian publikoi një deklaratë në rrjetet sociale përpara paraqitjes së tij të fundit në “Anfield”, ku theksoi se Liverpooli duhet të rikthehet tek identiteti i dikurshëm ofensiv dhe agresiv, që ai e quajti futboll “heavy metal”.
“E kam parë këtë klub të kalojë nga dyshimet te besimi dhe më pas te titujt. Është dashur shumë punë dhe unë gjithmonë kam dhënë maksimumin për të ndihmuar skuadrën. Asgjë nuk më bën më krenar se kaq”, shkroi Salah.
Megjithatë, egjiptiani nuk e fshehu zhgënjimin për sezonin e dobët të “The Reds”, pas humbjes së 12-të në kampionat ndaj Aston Villa-s.
“Të shohësh skuadrën të shembet në një tjetër humbje këtë sezon ishte shumë e dhimbshme dhe jo ajo që meritojnë tifozët tanë. Dua ta shoh Liverpoolin të rikthehet te skuadra sulmuese që rivalët e kishin frikë dhe te ekipi që fiton trofe”, shtoi ai.
Salah theksoi se ky është identiteti i vërtetë i Liverpoolit dhe se çdo lojtar apo trajner që vjen në klub duhet t’i përshtatet kësaj filozofie.
“Të fitosh disa ndeshje herë pas here nuk mjafton për Liverpoolin. Të gjitha skuadrat fitojnë ndeshje. Ky klub duhet të luftojë për trofe”, vijoi sulmuesi.
Në fund, Salah premtoi se do të japë gjithçka për ta ndihmuar Liverpoolin të sigurojë një vend në Champions League sezonin e ardhshëm, objektiv që ai e konsideron minimumin e pranueshëm për klubin.
Liverpooli do ta mbyllë sezonin me sfidën në shtëpi ndaj Brentford, ku i duhen ende pikë për të garantuar përfundimin mes pesë skuadrave të para në renditje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: