Pas shumë spekulimeve gjatë javëve të fundit, tashmë është zyrtare: Stephan El Shaarawy do të largohet nga Roma në fund të sezonit.
Sulmuesi italian e konfirmoi vetë lajmin përmes një postimi emocionues në “Instagram”, ku i dha lamtumirën klubit dhe tifozëve pas një aventure dhjetëvjeçare në kryeqytetin italian.
“Ka vende që bëhen shtëpi pa e kuptuar. Pastaj një ditë e kupton se kanë qenë shumë më tepër: njerëz, emocione dhe jetë. Për mua, këto dhjetë vite kanë qenë pikërisht kjo”, shkroi El Shaarawy.
Futbollisti kujtoi momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të tij me fanellën verdhekuqe, duke theksuar se në Romë ka përjetuar emocione të paharrueshme, fitore, por edhe periudha të vështira që e kanë ndihmuar të rritet si lojtar dhe si njeri.
“Kam ardhur këtu me ëndrra dhe ambicie, ndërsa largohem me zemrën plot. Kam gjetur dashuri të sinqertë, respekt dhe ndjenjë përkatësie që shkon përtej futbollit”, u shpreh ai.
El Shaarawy vlerësoi veçanërisht faktin që mbajti edhe shiritin e kapitenit, duke e cilësuar si një nga nderet më të mëdha të karrierës së tij.
“Mbajtja e shiritit të kapitenit ishte shumë më tepër se një rol. Ishte një privilegj që do ta mbaj gjithmonë në zemër”, shtoi sulmuesi italian.
Ai konfirmoi gjithashtu se derbi i ardhshëm në “Olimpico” do të jetë ndeshja e tij e fundit si vendas me Romën.
Në fund të mesazhit, El Shaarawy falënderoi klubin, shokët e skuadrës, stafin dhe mbi të gjitha tifozët romanistë.
“Po largohem, por një pjesë e imja do të mbetet këtu. Sepse disa histori nuk përfundojnë kurrë, thjesht ndryshojnë formë. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës këtij klubi dhe këtij qyteti që më dha kaq shumë. Faleminderit Roma”, përfundoi ai.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: