Situata e tensionuar mes Kylian Mbappe-së dhe Real Madridit ka rikthyer në vëmendje periudhën e fundit të francezit te Paris Saint-Germain, ku sulmuesi ishte shpesh në qendër të polemikave jashtë fushës.
Pas deklaratave të forta të bëra së fundmi pas fitores ndaj Real Oviedos, mediet franceze kanë rikujtuar episodet që shoqëruan Mbappe-në gjatë viteve të fundit në Paris, sidomos pas rinovimit të kontratës në vitin 2022.
Një nga rastet më të diskutuara ishte mënyra e rinovimit me PSG-në. Klubi njoftoi një marrëveshje deri në vitin 2025, por më vonë u zbulua se kontrata ishte realisht dyvjeçare, ndërsa viti i tretë aktivizohej vetëm nga vetë lojtari. Në fund, Mbappe u largua si lojtar i lirë drejt Realit në vitin 2024.
Francezi shkaktoi polemika edhe me deklaratat për UEFA Champions League, kur tha se po të kishte lidhur të ardhmen me fitimin e Champions-it, do të ishte larguar prej kohësh nga Parisi. Ironikisht, PSG-ja ka vazhduar sukseset europiane pas largimit të tij.
Një tjetër episod i bujshëm ishte konflikti me Neymar-in për goditjen e penalltive, i njohur si “Penalty Gate”, ndërsa më pas Mbappe kritikoi publikisht rolin e tij në fushë te PSG-ja, duke lënë të kuptohej se nuk ndihej rehat si sulmues qendre.

Probleme pati edhe në dhomat e zhveshjes. Në vitin 2023 ai u emërua zëvendëskapiten pa konsultim të plotë me grupin, gjë që krijoi tensione me Presnel Kimpembe dhe pjesën tjetër të skuadrës.
Polemikat vazhduan edhe jashtë fushës, kur Mbappe reagoi publikisht ndaj një reklame promocionale të PSG-së, duke deklaruar se klubi nuk ishte “Kylian Saint-Germain” dhe se imazhi i tij ishte përdorur pa leje.
Në fund, marrëdhënia mes lojtarit dhe klubit përfundoi edhe në gjykatë. Pas largimit drejt Real Madridit, Mbappe kërkoi pagesën e bonuseve dhe pagave të prapambetura, ndërsa drejtësia franceze i dha të drejtë, duke urdhëruar PSG-në t’i paguante mbi 61 milionë euro.
Tashmë, sipas medieve spanjolle dhe franceze, tensionet e fundit me trajnerin Alvaro Arbeloa po rikthejnë të njëjtat probleme edhe në Madrid, duke ngritur pikëpyetje mbi marrëdhënien e Mbappe-së me klubin madrilen.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: