Trajneri i Benfica-s, Jose Mourinho, ka folur për të ardhmen e tij gjatë konferencës për shtypin para ndeshjes ndaj Estoril, duke komentuar edhe zërat për një rikthim të mundshëm te Real Madridi.
Tekniku portugez zbuloi se ka marrë një ofertë rinovimi nga Benfica, por ka vendosur të mos japë ende përgjigje.
“Të mërkurën, menaxheri im mori ofertën me shkrim nga Benfica për rinovimin. Dhe unë thashë: ‘Jo, tani nuk dua asgjë. Të dielën po’”, deklaroi Mourinho.
I pyetur për spekulimet që e lidhin me stolin e Real Madridit për sezonin e ardhshëm, “The Special One” ishte i prerë në përgjigjen e tij.
“Me Real Madridin nuk kam pasur asnjë kontakt. As me presidentin dhe as me ndonjë person të rëndësishëm të klubit”, theksoi trajneri portugez.
Mourinho pranoi gjithashtu se java e ardhshme do të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.
“Java e ardhshme është e rëndësishme për të ardhmen time. Kur përfundon sezoni, klubi duhet të nisë të mendojë për sezonin tjetër. Sipas marrëveshjes, kemi një periudhë prej tetë ose dhjetë ditësh për të parë situatën dhe për të marrë një vendim”, u shpreh ai.
Trajneri portugez komentoi edhe konferencën e fundit të presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, por tregoi respekt maksimal për numrin 1 të klubit madrilen.
“Nuk e kam parë konferencën. Dhe edhe sikur ta kisha parë, kush jam unë të komentoj deklaratat e një presidenti? Aq më tepër të një presidenti me historinë e Don Florentinos”, deklaroi Mourinho.
Në fund, ai pati edhe disa fjalë për ish-lojtarin e tij, Alvaro Arbeloa.
“Ai është mik. Ishte një nga lojtarët që dha gjithçka për mua kur ishte futbollist. Tani që është trajner te Real Madridi, lidhja ime me klubin dhe dëshira që gjërat të shkojnë mirë aty bëhen edhe më të forta”, përfundoi Mourinho.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: