Casemiro rikthehet për lamtumirën me Man. Unidet, Carrick: Ka qenë fantastik për ne

Casemiro rikthehet për lamtumirën me Man. Unidet, Carrick: Ka qenë fantastik për ne

16:28, 15/05/2026

Trajneri i Manchester United, Michael Carrick, ka konfirmuar se Casemiro do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së dielës ndaj Nottingham Forest, në atë që pritet të jetë paraqitja e fundit e brazilianit në “Old Trafford”.

Mesfushori 34-vjeçar mungoi në barazimin ndaj Sunderland-it javën e kaluar, duke ngritur dyshime se aventura e tij me United kishte përfunduar tashmë. Megjithatë, ai është rikthyer në stërvitje këtë javë dhe mund të jetë titullar në sfidën e fundjavës.

Casemiro do të largohet nga klubi pas përfundimit të sezonit, duke mbyllur kështu një periudhë katërvjeçare në “Old Trafford”, ku përjetoi momente të mira dhe të vështira. Carrick nuk i kurseu elozhet për eksperiencën dhe profesionalizmin e brazilianit.

“Casemiro është i gatshëm. Që kur kam ardhur këtu dhe kam punuar me të, ai ka qenë fantastik për ne dhe për mua personalisht. Ka dhënë gjithçka për skuadrën”, deklaroi Carrick.

Tekniku anglez theksoi se qartësia mbi të ardhmen e lojtarit e ka ndihmuar të qëndrojë plotësisht i fokusuar deri në fund të sezonit.

“Kur e di situatën dhe e kupton se gjithçka do të përfundojë në fund të sezonit, është më e lehtë të përqendrohesh dhe të japësh maksimumin. I jap meritë mënyrës se si është sjellë. Mund të ndodhte edhe e kundërta, por ai ka qenë plotësisht i përkushtuar dhe ka mbështetur grupin në çdo aspekt”, shtoi Carrick.

Trajneri vlerësoi edhe lidhjen që Casemiro ka krijuar me tifozët e klubit.

“Ai ka kaluar ulje-ngritje si të gjithë në futboll, por mënyra si po e mbyll këtë eksperiencë dhe lidhja që ka krijuar me tifozët është shumë e bukur për t’u parë”, përfundoi Carrick.

Ndërkohë, Carrick zbuloi se Benjamin Sesko nuk është ende në gjendjen ideale fizike pas një problemi në ijë dhe mbetet në dyshim për ndeshjen e ardhshme.

I pyetur për të ardhmen e tij te Junajtidi, Carrick u shpreh krenar për rikthimin në klub dhe punën e bërë deri tani, duke theksuar se objektivi për rikthimin në UEFA Champions League është një hap i rëndësishëm për skuadrën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco