Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka deklaruar se skuadra bavareze ka vendosur standarde shumë të larta këtë sezon dhe synon të bëhet edhe më e fortë në edicionin e ardhshëm.
Bayerni e siguroi prej javësh titullin kampion në Bundesligë dhe tani synon të kompletojë sezonin perfekt me triumfin në finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Stuttgartit më 23 maj në Berlin.
“Do të pres deri pas finales së Kupës për të dhënë një vlerësim të plotë për sezonin. Kjo ndeshje ka shumë rëndësi për ne”, deklaroi Kompany në konferencën për shtyp para sfidës së fundit në kampionat ndaj Kölnit.
Megjithatë, trajneri belg pranoi se sezoni aktual ka qenë i jashtëzakonshëm për bavarezët.
“Kemi fituar shumë ndeshje, kemi përjetuar emocione të mëdha dhe shumë lojtarë janë zhvilluar. Niveli është ngritur dhe sezonin tjetër duam të përmirësohemi edhe më shumë”, shtoi ai.
Nën drejtimin e Kompany, Bayerni ka fituar dy tituj radhazi në Bundesligë dhe këtë sezon ka thyer edhe rekordin historik të golave në një edicion të vetëm të kampionatit gjerman, duke realizuar plot 117 gola. Rekordi i mëparshëm prej 101 golash qëndronte që nga sezoni 1971-1972.
Bavarezët arritën gjithashtu deri në gjysmëfinalet e Champions League, ku u eliminuan nga Paris Saint-Germain pas një dueli spektakolar.
Edhe drejtori sportiv Max Eberl theksoi se skuadra nuk është e kënaqur vetëm me titullin kampion.
“Nuk kemi përfunduar ende punë. Mund të fitojmë edhe Kupën dhe të realizojmë dopietën”, deklaroi ai.
Pas ndeshjes së fundit në kampionat, Bayerni pritet të festojë titullin me tifozët në Mynih, ku nuk do të mungojnë as festimet tradicionale me birrë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: