Aston Villa dhe Liverpool do të përballen në një sfidë që mund të vendosë fatin e sezonit për të dy skuadrat.
Një fitore në këtë duel të Premier League do t’i siguronte matematikisht njërës prej tyre pjesëmarrjen në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Skuadra e drejtuar nga Unai Emery po lufton në dy fronte, pasi përveç garës në kampionat ka siguruar edhe finalen e Europa League.
Megjithatë, kjo sfidë vjen vetëm pesë ditë para finales europiane dhe pritet që Aston Villa të bëjë rotacion në formacion.
Barazimi 2-2 ndaj Burnleyt javën e kaluar komplikoi disi objektivin për vendet e para, sidomos duke pasur parasysh se në javën e fundit Villa do të përballet me Manchester Cityn.
Nga ana tjetër, Liverpooli i drejtuar nga Arne Slot ende nuk e ka siguruar plotësisht zonën Champions.
“Të Kuqtë” barazuan 1-1 ndaj Chelseat dhe vazhdojnë të mbajnë vetëm katër pikë diferencë nga vendi i gjashtë.
Statistikat historike favorizojnë dukshëm Liverpoolin.
Aston Villa ka fituar vetëm një nga 16 përballjet e fundit në kampionat ndaj “The Reds”, ndërsa Liverpooli ka shënuar të paktën dy gola në secilën nga tetë vizitat e fundit në “Villa Park”.
Në qendër të vëmendjes pritet të jenë John McGinn, që po kalon formë fantastike me Aston Villën, dhe Ryan Gravenberch, i cili realizoi edhe në përballjen e parë mes dy skuadrave.
Ndërkohë, te Liverpooli po afrohen rikthimet e Alisson Becker, Mohamed Salah dhe Florian Wirtz, duke rritur optimizmin në kampin e “The Reds” për këtë duel vendimtar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: