Ish-mesfushori i Valencias dhe Barcelonës, Gaizka Mendieta, beson se kombëtarja aktuale e Spanjës ka talent të krahasueshëm me skuadrën legjendare që fitoi Kupën e Botës në vitin 2010.
Në një intervistë për “Flashscore”, Mendieta u shpreh optimist për shanset e Spanjës në Botërorin 2026, duke theksuar cilësinë e madhe që ka në dispozicion trajneri Luis de la Fuente.
Sipas tij, lojtarë si Rodri, Pedri, Nico Williams dhe Lamine Yamal e bëjnë Spanjën një nga favoritët kryesorë për trofeun.
“Po, për sa i përket talentit individual, kjo skuadër mund të krahasohet me atë të vitit 2010. Sistemi i lojës është ndryshe, por Spanja vazhdon të prodhojë futbollistë fantastikë”, deklaroi Mendieta.
Ai vlerësoi shumë punën e Luis de la Fuente, duke theksuar se trajneri ka krijuar një atmosferë perfekte për zhvillimin e lojtarëve të rinj.
“Ka sjellë freskinë që i nevojitej ekipit dhe i ka ndihmuar futbollistët e rinj të tregojnë talentin e tyre. Lamine, Nico Williams, Pedri apo Pau Cubarsi janë rritur shumë me këtë kombëtare”, shtoi ish-ylli spanjoll.
Mendieta foli edhe për gjendjen e Rodrit, i cili po rikuperohet pas një dëmtimi të rëndë.
“Nëse është në formën e tij më të mirë, Rodri është lider absolut dhe titullar i padiskutueshëm”, deklaroi ai.
Në fund, legjenda spanjolle veçoi edhe Mikel Oyarzabal si një nga futbollistët që mund të surprizojë në Kupën e Botës, ndërsa mes favoritëve për triumfin final përmendi Francën, Argjentinën, Brazilin dhe Spanjën.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: