Kriza e brendshme te Milani vazhdon të thellohet, ndërsa raportet mes trajnerit Massimiliano Allegri dhe këshilltarit të klubit, Zlatan Ibrahimovic, duket se kanë arritur në pikën e thyerjes.
Gazetarja italiane, Monica Colombo, ka zbuluar detaje të reja mbi situatën e tensionuar brenda klubit kuqezi, duke deklaruar se Ibrahimovic nuk është parë prej tre muajsh as në Milanello dhe as në dhomat e zhveshjes në “San Siro”.
Sipas saj, ambienti te Milani është tronditur nga konfliktet e shumta të brendshme, të cilat për një kohë ishin fshehur falë rezultateve pozitive të skuadrës.
“Gjithçka që po ndodh rreth Milanit është shumë e trazuar. Edhe ambienti i skuadrës është i goditur për shkak të tensioneve të brendshme. Milani është ndarë në grupe dhe për sa kohë rezultatet ishin pozitive, problemet mbetën të fshehura. Më pas tensionet e vjetra dolën sërish në pah”, deklaroi Colombo.
Ajo shtoi se raporti mes Allegrit dhe Ibrahimovicit është aktualisht i ngrirë dhe se të dy nuk komunikojnë më me njëri-tjetrin.
“Sipas informacioneve që kam, Ibrahimovic nuk është parë prej tre muajsh në Milanello apo në dhomat e zhveshjes në San Siro. Për të zgjidhur situatën duhet një përballje direkte mes tij dhe Allegrit, por kjo nuk ka ndodhur kurrë kohët e fundit. Aktualisht ata nuk flasin fare dhe është e pamundur të vazhdohet kështu”, u shpreh gazetarja italiane.
Sipas raportimeve, pika e shpërthimit ka qenë zgjedhja e portierit të tretë për sezonin e ardhshëm, megjithëse ky konsiderohet vetëm një pretekst që riktheu tensione të vjetra mes dy figurave.
Situata u përkeqësua edhe më shumë kur Allegri mësoi për kontaktet e Ibrahimovicit me Antonio Cassanon, i njohur për kritikat e tij të vazhdueshme ndaj trajnerit livornez.
Gjithashtu, Allegri nuk e ka pritur mirë faktin që Ibrahimovic kishte kontaktuar drejtpërdrejt disa futbollistë të skuadrës, mes tyre Youssouf Fofana dhe Rafael Leão, duke u dhënë këshilla taktike të ndryshme nga ato të trajnerit gjatë stërvitjeve.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: